MONA

Spread the love

[Shkarkoje Librin]

Kur mori fund botimi i fejtonit “Kosova midis çlirimit dhe dëshpërimit”, krahas kritikave të ndryshme  dhe vërejtjeve me vend se disa çështjeve , atyre që lidheshin me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës, sidomos me eliminimin e dëshmitarëve, nuk u kisha kushtuar gjithaq rëndësi, Redaksisë i erdhi reagimi: “Rrëfimi nga vendi i çmendjes”, i nënshkruar nga: “Mona e Çmendur”.

Shkrimi, në gjithsej 55 faqe me makinë, kishte për moto shënimin:

“Një mozaik me rrëfime nga një laborator ndërkombëtar për krijimin e një virusi të ri të përmasave globale…”

Kryeredaktori ma la para dhe më tha kur ta lexoja të ktheja te ai.

Dukej i zymtë si kurrë më parë.

U mbylla në zyrë dhe nisa të kapërdij fjalët dhe fjalitë e atij shkrim. Një rrëfim imagjinar jo i rëndomtë. I përzier me fakte nga përditshmëria, ku rrëfimet “e shkëputura”në formën e një mozaiku, ndërlidheshin fund e krye me çësht-jet e ngritura në fejtonin tim.

Nuk po u besoja syve!

Ndonëse korniza e këtyre rrëfimeve vinte nga një ambient i imagjinuar (Dushkaja), ku një Kolonel, i mbyllur jashtëligjshëm nga forcat ndërkombëtare ditën që zbarkuan në atë pjesë mbahet nën vëzhgim të përhershëm gjatë nëntë vitesh, tetë muajsh dhe shtatëmbëdhjetë ditësh, gjendje kjo që kishte marrë fund me vdekjen e tij (për shumëkënd vrasje me paramendim), megjithatë ngjarjet sikur më vinin të njohura. Veçmas rrëfimet që kishin përcjellë mbylljen dhe vetminë e Kolonelit,  ato të Gruas, Djalit, Gjyshit dhe Galan Rrogëtarit. Madje, duke kaluar nëpër rrëfimin mjeshtëror që Mona ia beson Vlerës së çmendur, ngjarjet e atyre gjashtë orëve sa zgjat përdhosja publike e funeralit të Kolonelit nëpër Dushkajë deri te hedhja në një varr pa varreza, ku mrizonin bagëtia e katundit, nisa t’i përjetoj sikur të isha pjesë e atij funerali!

Para kryeredaktorit dola me kokën lëmsh. Kisha bind-jen se ashtu dhe në atë mënyrë, nga një fuqi e padukshme, e aftë të mbikëqyrte secilën lëvizje dhe të ndërhynte edhe në mendje madje, isha përfshirë në një lojë të përmasave të parashikueshme, që herdokur duhej të dilte në pah…

Më dukej se në atë gjendje që isha (i trazuar dhe i shkallmuar fare), po i dhimbesha edhe kryeredaktorit, përkundër asaj se mendja mund t’ia thoshte se isha ngatërruar qoftë edhe pa dashje në një komplot kundër Gazetës dhe renomesë së madhe që gëzonte ajo brenda dhe jashtë vendit, veçmas ndër qarqet ndërkombëtare.

Një copë herë shikimet tona u kryqëzuan të heshtura. Më bëhej se sikur po më thoshte haptas se po i vinte keq që kisha marrë pjesë në ato bisedat e fshehta të Prokurorit Ndërkombëtar me Kolonelin pa njoftuar kënd për to, në vend që hulumtimi im, gjithnjë në bashkëpunim me redaksinë, të ndërlidhej edhe me atë çështje, e cila do të trajtohej në më-nyrë të veçantë?… Po ashtu, më bëhej se keqardhjen e pakmëparshme e kishte kthyer në një qortim  të hapur, madje të ashpër, rreth  atyre që ia kisha thënë diku në Prishtinë Monës së çmendur pas klithmës “Oh, Amerikë! Amerikë”, rreth mospajtimit me politikën neokoloniale amerikane si dhe partneritetin me grupet e caktuara kriminale në rajonet e krizave, siç kishte ndodhur në Kosovë me të ngjashmit dhe sjelljen e tyre në pushtet, me ç’rast kisha theksuar se SHBA-të, për interesa të caktuara dhe sipas nevojave, bashkëpunojnë njësoj me strukturat kriminale (narkomafinë në Amerikën Latine, apo në krijimin e grupeve terroriste në botën islame, Xhihadin,  ISS-in e të ngjashme)…

Meqë ato që po e mundonin nuk mund t’ia shpjegoja as vetit, ndërkohë që ai më shikonte me keqardhje, hesh-ta sikur ai që pranon një diçka të pambikëqyrur prej tij, që jo vetëm nuk e kundërshton, por që çuditërisht, rrëfi-mi i imagjinar i Monës së Çmendur, sikur e arsyeton këtë?…

-Uroj, që ky tekst të mos u ketë shkuar edhe redaksive të tjera, tha Kryeredaktori, kur po largohej. Mbas la fjalët se  do të ishte naivitet  të besohet se e gjitha ka përfunduar vetëm te ne për ta plotësuar atë që fejtoni ynë ka nxjerrë në pah.

Pra, nga ai çast karriera ime në gazetë merrte fund. Por, jo edhe tundimi i asaj çështjeje, që burimin e kishte te  fejtoni “Kosova midis çlirimit dhe dëshpërimit” dhe vlerë-simi se “Kosova ishte çliruar nga pushtimi, por kishte hum-bur lirinë në saje të partneritetit të faktorit ndërkombëtar me forcat e brendshme kriminale që kishin uzurpuar pushte-tin”.

Kështu, i mbërthyer fund e krye nga ai rrëfim, vendosa që t’i hyja një hulumtimi të pavarur rreth asaj se ç’ishte reale në rrëfimin e një autoreje ose autori (Monës), që fshihej prapa një pseudonimi dhe thoshte se ishte shpallur e çmendur pasi që kishte dhënë shumë e shumë dëshmi para hetuesve ndërkombëtarë si dhe nëpër mediume të ndryshme vendore e botërore, të cilat jo vetëm që nuk ishin përfillur e as trajtuar si duhet, por shumë prej tyre edhe ishin shkatërruar qëllimisht nga hetues ndërkombëtarë dhe vendorë (të UNMIK-ut dhe të EULEX-it), ndërkohë që shumë nga dëshmitarët, qoftë edhe  të mbrojtur, ishin lënë në mëshirën e pamëshirë të vrasësve të tyre, ose ishin shpallur të çmendur, siç kishte ndodhur me Monën, me çka nga ligjori u ishte marrë e drejta e dëshmisë?…

Që këtij lëmshi sado pak t’i bihej në fije, për t’iu nxjerrë në pah përmasat e të vërtetave të fshehura ose të ndrydhura dhunshëm bashkë me dramat si dhe fatkeqësitë që ngërthenin në rrafshin jetësor, po edhe atë shoqëror dhe politik, ishte e domosdoshme marrja me Kolonelin dhe të vërtetën e mbylljes së tij nga ushtritë më të mëdha të botës. Sidomos, kur e gjitha përcillej me thashetheme ndër më të ndryshmet rreth “fuqisë” së tij mbinatyrore, që “fjalët t’i kthente në plumba të padukshëm” ndaj atyre, që   ai i merrte “për vrasës”, e të ngjashme që nuk kishin fund. Kjo hapte dyshimin se prapa atij mistifikimi qëndronte ndonjë “qendër e fshehtë” me ndonjë maestro të magjisë së zezë, për eliminimin e kundërshtarëve politikë për qëllime të caktuara? Këtu i pashmangshëm ka qenë bashkëveprimi i faktorëve të fuqishëm nga jashtë dhe partnerëve të tyre nga brenda.

Në këtë labirint, me rëndësi të madhe shfaqej sidomos deshifrimi i metaforës së Dushkajës – “laborator i ri ndër-kombëtar për krijimin e një virusi të ri të përmasave globale”, me çka edhe ato që dukeshin si pjesë e thashethe-meve të një ambienti të mbyllur, që humb pusullën kund-ruall zhvillimeve të vrullshme, siç ishin ato nëpër të cilat po kalohej në rrethanat e mbikëqyrjes ndërkombëtare, nxirrnin në pah skenarë të përmasave globale, pa të cilët, të ashtu-quajturat “mekanizma të krizave” nuk mund të mbahen si “fuqi e padukshme”, një si “masoneri e lozhave të fshehu-ra”, që mban në dorë penjtë e zhvillimeve botërore?…

Kjo, pra, më ktheu prapë në Kosovë.

Për disa muaj hulumtova përkundër përshtypjes se përcillesha nga të gjitha anët.

Në fund nxora librin “Mona”në dy pjesë, me  prolo-gun “Rrëfimi nga vendi i çmendjes”,  dhe epilogun “Mona kishte të drejtë”.

  Me këtë rast, duhet thënë se, gjatë punës sime, shkrimi i “Monës së Çmendur”, përcaktoi konceptin e librit, ku hulumtimi gazetaresk ishte në shërbim të rrëfimit imagjinar.

 Ecuria e “ngatërrimit”të zhanreve, jepte më shumë mundësi, që nga një labirint çfarë ishte hapësira në të cilën ndodhej Koloneli, nga thashethemet, ndër më të pabesueshmet – “për fjalët që ktheheshin në plumba”, që u shërbenin vrasjeve të shumta asnjëherë të ndriçuara nga drejtësia – të ndahet gënjeshtra nga e vërteta dhe e vërteta nga gënjeshtra, paçka se mbesin të pandashme fare!

Autori i apostrofuar çuditërisht në shkrimin e Monës “së çmendur”, pa ndonjë takim apo bisedë me të, e ku pasqyrohen me përpikëri të habitshme shumë nga bisedat që kishte zhvilluar në Kosovë me persona të ndryshëm, përfshirë edhe nga ato të pabotuarat, përkundër ballafaqimit të përhershëm me fuqinë dhe aftësinë e  “maestros” së padukshëm, që  skenës t’ia përcaktojë lojën në përputhje me skenarë të paraparë mbase nga masoneria botërore, pranon se fejtoni paraprak “Kosova midis çlirimit dhe dështimit”, mund të kuptohet si duhet vetëm në saje të shkrimit të Monës si dhe të zbërthimit të pjesës imagjinative mbi të cilën ndërtohet rrëfimi, ku Dushkaja, Koloneli dhe vetmia e tij e gjatë, bashkë me urrejtjen dhe hakmarrjen e paralajmëruar deri te vrasja, flasin për një realitet trishtues, shpërfytyrimi i të cilit arrin përmasat e një çekuilibrimi mendor dhe shpirtëror të një shoqërie së cilës i është përcaktuar shpërlaja e trurit pikërisht në rrethanat e pranisë ndërkombëtare dhe mandatit për të ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe në përputhje me kriteret civilizuese…

Këto vlerësime, autori librit i mbështet mbi një hu-lumtim intensiv sa nga bisedat e shumta në ato ambiente me qytetarë të rëndomtë, me përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë e hulumtues vendorë, zyrtarë të ndryshëm të misionit ndërkombëtar dhe të tjerë (ndër ta edhe nga ata që ishin tërhequr ngaqë nuk kishin qenë në gjendje të punonin si duhej), po edhe nga ndërlidhja  me  literaturë dhe botime të veçanta të autorëve të ndryshëm botërorë, që janë marrë me çështjen shqiptare nga këndvështrimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik si dhe raportet me fqinjët nga Kriza Lindore e këndej, veçmas ato që kanë të bëjnë me shfaqjen e shtetit shqiptar në vitin 1912, krijimin e Jugo-sllavisë komuniste në vitin 1945 dhe shpërbërjen  e saj në vitin 1992, prej nga shfaqet edhe lëvizja shtetformuese, që u kurorëzua me shtetin e pavarur të Kosovës në vitin 2008.

Në kuadër të kësaj kornize, përqendrimi te lufta e fundit dhe protektorati ndërkombëtar në Kosovë, në për-puthje me të dhënat nga literatura e përzgjedhur, doku-mentet e UNMIK-ut, OSBE-së, të KFOR-it, të EULEX-it, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Tribunalit të Hagës, të shtypit shqiptar dhe atij botëror si dhe bisedat e shumta me analitikë vendorë dhe intelektualë kritikë shqiptarë (pa përjashtuar këtu edhe disa “thashetheme” nga Facebok-u), hap çështjen e një rishqyrtimi kritik të rolit të faktorit ndërkombëtar në shtetformimin e Kosovës nga këndvësh-trimi i aspekteve të brendshme socio-kulturore, sidomos të dramës jetësore, që e kanë përcjellë atë dhe vazhdojnë ta përcjellin si pasoja, që gjithsesi kanë edhe shkakun, pikë-risht te qasja politike që nuk i ka përfillur ato, ose që i ka anashkaluar për arsye të interesave të caktuara…

Në fund, autori, rrëfimet nga “laboratori ndërkombëtar për krijimin e një virusi të ri të përmasave globale” , nuk i sheh vetëm si metaforë, por  një realitet trishtues, me ç’rast, opinionit ndërkombëtar i dërgohet një alarm rreth punës së mekanizmave të krizave në regjionet ku ata marrin mandatin e OKB-së për vendosjen e demokracisë, ndërkohë ndodhë që “alkimia midis ideologjisë dhe religjionit pasqyron profilin e ri të mafisë në rrethanat e globalizimit botëror…”

***