Lufta e fundit e Bashkim Kosovës
P R O LO G
Ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, Bashkim Kosova kampion i gjashtëfishtë i Kosovës në kategorinë gjysmë të rëndë të boksit, kampion i katërfishtë i Jugosllavisë së dikurshme në të njëjtën kategori, kampion i pesëfishtë shtetëror me klubin “Prishtina”, pastaj kampion i Ballkanit, kampion evropian, fitues i medaljes së artë në lojërat olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundit edhe nënkampion botëror në Kampionatin e Boksit Amator në Toronto në vitin 1986, do të vdesë nga plagët e marra sapo të arrijë në Qendrën e Emergjencës së Spitalit të Prishtinës.
Meqë atë ditë, me të drejtë, e gjithë vëmendja e shtypit kishte qenë e kthyer kah shpallja e Pavarësisë së Kosovë, vetëm të nesërmen opinioni do të njoftohet me atë që kishte ndodhur. Bëhej fjalë për një rast tragjik, në katundin Hade, të komunës së Kastriotit – ish Obiliqit,që kishte ndodhur në orët e hershme të 17 shkurtit. Por që e gjitha ishte jashtë jehonës që duhej ta kishte kjo ngjarje, që lidhej me vdekjen e një personaliteti të madh të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, sukseset e të cilit lidheshin me afirmimin e Kosovës brenda dhe jashtë, mbi të gjitha me procesin e shtetformimit.
Por, interesimin për vdekjen tragjike të kampionit të madh, që kishte shpërthyer në opinion me të drejtë, në të vërtetë e kishte provokuar pikërisht informata zyrtare në të cilën ishte thënë se Bashkim Kosova ishte gjetur në një gjendje thuajse pa shpresë, i përplasur nga një veturë e panjohur para kafenesë “Vatra”. Informata mbyllej me stereotipin e njohur se “po punohej që të ndriçohej rasti”!
Të nesërmen, kjo informatë, ishte vërtetuar nga gjykatësi hetues, por tash duke u cilësuar “aksident komunikacioni me pasoja tragjike”.
Me siguri se, bazuar në deklaratat e hetuesit zyrtar të çështjes të dhëna me aq nguti, i gjithë rasti do të mund të mbyllej shpejt e shpejt dhe boksieri i mirënjohur me famë botërore, Bashkim Kosova, do të mund të shpallej viktimë e ndonjë shoferi të papërgjegjshëm, ndaj të cilit do të mund të lëshohej fletë-arrest, po mos të ishte dëshmia e mjekut kujdestar dr. Gazmend Bardhi, i cili kishte pranuar rastin dhe pasi që pacienti i kishte vdekur pas pesë minutash, pra pa arritur që t’i bëhet as trajtimi i rëndomtë mjekësor që kërkonte një rast i tillë i rëndë, kishte organizuar autopsinë, sipas të cilës, pas incizimeve të plota dhe të hollësishme, ishte vërtetuar se shkak i vdekjes ishin tri të rëna që viktima kishte marrë në kokë (mund të ishte fjala për shufra hekuri), së paku tetë orë para se të arrinte në spital ( që lihej për t’u kuptuar se lëndimet vdekjeprurëse, sipas të gjitha gjasave me shufra hekuri, kishin ndodhur diku nga mesnata dhe jo si thuhej në orën e hershme të ditës), me çka hapej çështja e një vrasjeje me paramendim gjë që gjithë çështjes i jepte përmasa tjera fare nga mënyra si gjykatësi hetues e kishte paraqitur.
I tronditur nga ajo që kishte rrjedhur në shtyp dhe media dhe veçmas i befasuar nga deklarata e gjykatësit hetues (edhe pse autopsia i ishte dërguar zyrtarisht Gjykatës së Prishtinës po atë ditë rreth orës 16), dr. Gazmend Bardhi, me kopjen e procesverbalit të autopsisë dhe deklaratën ishte paraqitur në redaksinë e gazetës “Sot”.
Gazeta “Sot”, që njihej paksa më e paanshme krahasuar me të tjerat, të cilat fund e krye ishin organe të partive politike ose nën mbikëqyrjen e përhershme të tyre, atyre që kishte ofruar mjeku Gazmend Bardhi u kishte bërë jehonë të madhe, duke i nxjerrë në faqen e parë, të përcjella edhe me komentin redaksional, duke e quajtur anashkalimin e rastit dhe pastaj shtrembërimin e tij “një skandal të përmasave të mëdha”.
Çështja kishte marrë një kthesë tjetër fare, veçmas kur në vazhdën e zbardhjes së rastit të vdekjes tragjike (të vrasjes) të njërit ndër sportistëve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve (i njohur për mbrojtjen e kërkesës për Kosovën Republikë që ishte rikthyer në demonstratat e vitit 1981, pastaj pjesëmarrës i Kuvendit Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputet i Parlamentit të parë plural të Kosovës nga zgjedhjet e vitit 1992 dhe pjesëmarrës i strukturave të shtetit paralel të Kosovës për të cilat në viti 1993 nga regjimi represiv i Beogradit do të dënohet me pesë vjet burg) kishin filluar të dilnin në pah edhe deklarata të tjera, siç ishin ato të boksierëve Luan Hoti dhe Bekim Krasniqi, nxënës shumëvjeçar të kampionit Bashkim Kosova, rreth atentatit ndaj kampionit kaherë të paralajmëruar. Meqë kishin qenë të parët që Kampionin e kishin gjetur në atë gjendje të rëndë para kafesë “Vatra” dhe me të shpejtë, me makinën “Pasat” kishin bërë përpjekjet të jashtëzakonshme që ta përballonin sa më parë rrëmujën e komunikacionit që ta arrinin Qendrën e Emergjencës në Prishtinë, çirret lemëritëse se ndaj kampionit të madh ishte bërë atentat, i kishin nxjerrë që t’u hapej rruga (e cila kishte zgjatur rreth dy orë), por edhe të bëhej me dije për atë që kishte ndodhur.
”Kampioni i madh është vrarë me paramendim!”
Të njëjtat fjalë ia kishin thënë edhe mjekut kujdestar dr. Gazmend Bardhit, sapo t’ia kenë dorëzuar dhe ai pas pak kishte vdekur, dhe të njëjtat fjalë ia kishin thënë edhe hetuesit të çështjes.
Shkrimet në gazetën “Sot”, bashkë me deklaratat e sipërpërmendura, por edhe ato të tjerat që i kishte dhënë e halla Shpresa Kosova-Berisha rreth asaj se i nipi Bashkim Kosova gjatë tre muajve të fundit, pse kishte qenë në një gjendje të rëndë shëndetësore (fare i palëvizshëm), nuk kishte pasur mundësi të dilte jashtë e lërë më të ecte rrugës dhe vetëm në atë kohë të pakohë, të cilat pastaj kishin zgjuar reagime të shumta edhe në shtypin botëror (meqë fjala ishte për një boksier me renome të madhe ndërkombëtare:pos tjerash kampion olimpik, kampion i dyfishtë evropian dhe nënkampion botëror), deshtë a pa deshtë kishin hapur dyshime rreth asaj se ky rast tragjik kishte prapaskenën e vet, veçmas pse e gjitha kishte ndodhur pikërisht atë ditë të shënueshme dhe në ato rrethana dhe pse hetuesi kishte desh ta anashkalonte shkakun e vërtetë të vrasjes.
Dhe, në përputhje me trysninë e opinionit, e me ndërhyrjen e EULEX-it, që ato ditë kishte filluar të vendoste misionin në Kosovë, Prokuroria e Qarkut të Prishtinës, jo vetëm që kishte anuluar hetimin e nisur ditë më parë, ku e gjithë çështja shihej si “aksident komunikacioni me pasoja tragjike”, por kishte caktuar një hetues tjetër, i cili hetimin do ta nisë me dyshimin “e krimit të kryer me paramendim dhe të organizuar”, hetim ky, që ndonëse kishte shtrirë pistat e veta në shumë drejtime (pa përjashtuar në të edhe implikimin e faktorëve ndërkombëtar), si edhe shumë rastet të tjerët të kësaj natyre, që kishin ndodhur gjatë atyre viteve, kishte mbetur i hapur dhe çështje ishte se a do të zbardhej ndonjëherë… Por, kjo nuk e kishte penguar publicistin Arsim Shpati (fillimisht gazetar të gazetës “Sot”, që e para kishte ngritur gjithë çështjen në opinion, duke e vu në dyshim versionin zyrtar të hetuesisë), i cili, në cilësinë e publicistit të pavarur, për më shumë se dy vite, të hulumtojë gjithë rastin, që më në fund, para opinionit të dalë me librin “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, që e kishte quajtur “Dosje e hapur”.
***