Libri i Bllacës 3 – Etër e bij
I
Në Byronë e të Zhdukurve, Vëllaznim Prishtina mezi do të depërtojë deri te nëpunësja e huaj, e cila priste përkthyesen vendore t´i ndihmonte për të vënë rend mbi shënimet që merrte nga ata që pareshtur hynin dhe që shumë prej tyre nuk ia dilnin të përballonin shqetësimin që u shfaqej me rastin e pyetjeve që u shtroheshin rreth të dhënave që lidheshin me identitetin e atyre që u mungonin.
Ndryshe nga pala paraprake, një mesoburri të thyer fare, i cili ishte shkrehur në lot kur kishte filluar të tregonte për të birin njëzetedyvjeçar që ia kishin marrë çastin që bëheshin gati të largoheshin nga Prishtina në drejtim të maleve të Koliqit dhe bashkë me shumë e shumë të tjerë, të lidhur i kishin futur në njërin nga automjetet e blinduara që rrinin skaj rrugës me tyta të drejtuara në ta, Vëllaznimi ishte treguar fare i përmbajtur. Pa pasur nevojë për përkthyesen, e cila vazhdimisht ndërpritej nga ata që, edhe pasi largoheshin, ktheheshin me ndonjë letër tjetër, ose me ndonjë hollësi që u kujtohej më vonë, e që e merrnin si të rëndësishme, nëpunëses holandeze i ishte drejtuar anglisht, gjë që asaj ia kishte krijuar mundësinë që bisedën me të ta pranonte me një përkushtim edhe më të madh dhe, madje, pas atyre që fillimisht ishin futur në formularin e detyrueshëm, ta luste që, po të kishte kohë, në mbrëmje të pinin së bashku kafe në kafenenë aty përballë, meqë ashtu, si i kishte thënë ajo, i jepej mundësia që përmasat e asaj fatkeqësie t´i njihte, jo vetëm nga të dhënat dhe dokumentet, me të cilat err e terr ballafaqohej dhe shumë prej tyre, si të regjistruara, mund të mbeteshin vetëm një çështje statistike që u duheshin analizave të mëtutjeshme, por edhe nga bisedat e tjera të lira, ku rrëfimet nxirren nga detyrimi i atyre që u duheshin hulumtimeve të mëtejshme.
Por, para se të pinte atë kafenë e mbrëmjes dhe të bisedonte me holandezen e re që i takonte administratës ndërkombëtare, të vendosur në Kosovë sapo kishin hyrë trupat e NATO-s që, dhe si do të shihet, pa vonuar atyre ky takim do t´u kalojë në një miqësi të thellë që dikur do t´i bashkojë përfundimisht, Vëllaznim Prishtina në Byronë e të Zhdukurve do të japë të dhënat e domosdoshme që i duheshin plotësimit të formularit rreth personave të zhdukur gjatë luftës, ku do të deklarojë se fjala ishte për të atin, Bardhyl Prishtina, i lindur në Prishtinë në verën e vitit një mijë e nëntëqind e dyzet e gjashtë, magjistër i shkencave juridike, i cili viteve të fundit kishte ushtruar profesionin e avokatit të pavarur.
Në formular kishin pasuar edhe të dhëna të tjera, ndër të cilat binin në sy shënimet se Bardhyl Prishtina, si jurist i njohur, fillimisht kishte punuar këshilltar juridik në njërin nga sekretariatet e Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që pas kryerjes së magjistraturës në lëmin e të drejtës kushtetuese, ishte përfshirë në grupin e juristëve që kishin përgatitur amendamentet e njohura të Kushtetutës së vitit një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër, për t’u emëruar më vonë sekretar i Kryesisë së Kosovës, detyrë kjo, të cilën do ta ushtrojë për tre vjet me radhë dhe nga e cila do të largohet pasi të jetë zgjedhur, së pari asistent, e pastaj edhe ligjërues i të drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Nga shtatori i vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e deri në prag të luftës, pra për tetë vjet me radhë, në rrethanat e arsimit paralel, që ishte zhvilluar thuajse në kushte ilegale dhe me shumë vështirësi, kishte udhëhequr Katedrën e Fakultetit Juridik.
Ndër të dhënat e tjera, që plotësonin biografinë e babait, avokatit Bardhyl Prishtina, pas një hamendjeje të shkurtër, se mos ato nuk ishin gjithaq me rëndësi për ata që kërkoheshin, i biri kishte dhënë edhe shënimet që lidheshin me mandatin e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, nga periudha e vitit një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër e deri në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë, ku ishte shënuar se karriera e deputetit kishte marrë fund më dy korrik të vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë, me shpalljen e Deklaratës kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, me të cilën ishte shfrytëzuar e drejta legjitime e deklarimit që ia garantonte kushtetuta në fuqi si anëtare e barabartë e federatës, me çka do të krijohen edhe rrethanat formale për gjithë ato zhvillime që më vonë do të kulmojnë me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shkëputjen përfundimtare me Beogradin…
Këtu, Vëllaznim Prishtina kishte bërë një pushim të shkurtër, sikur të jepte të kuptohej se pikërisht aty përfundonte çdo gjë që mund të thuhej për të atin, si person i zhdukur, i cili kërkohej si shumë e shumë të tjerë.
Por, holandezja, e cila kishte përcjellë me vëmendje ato që ai kishte thënë deri atëherë dhe, ç’është e vërteta, një pjesë syresh as që ia kishte dalë ta shënonte, ngaqë gjuha e ngurtësuar e formularëve nuk mund t’i pranonte, sepse ishte hartuar për të dhëna të thjeshta dhe tejet të kufizuara, pra ajo e kishte përkujtuar se mungonin shënimet kryesore, ato që lidheshin me kohën dhe vendin e zhdukjes, të cilat duheshin për të hapur procedurën e kërkimit.
– Janë formalitete të domosdoshme që nuk mund t´u iket, ndonëse lidhen me shqetësime të mëdha…
Fjala „kërkim“ sikur e kishte trandur pa masë, ngaqë ia kishte përkujtuar humbjen dhe gjithë ato që lidheshin me të pakthyeshmen, po edhe më shumë se kaq, që më vonë do t´i kalojë në një përndjekje të vazhdueshme mendjeje, pikërisht pse ajo fjalë kishte shtrirë një pushtet të pakufishëm dhe ndoshta të përhershëm mbi ato që u kishin hyrë në mes si mospajtime dhe shqetësime të tjera, që asaj ndarjeje sikur ia kishin veshur përshtypjen e një humbjeje të hidhur, e cila, si e tillë, mund të mbetej përgjithmonë…
***