Libri i Bllacës 2 – Bota e përmbysur e Urtakut
I
Urtaku, sipas të gjitha gjasave, kishte qenë ndër të fundit që kishte hyrë në atë që ishte quajtur kamp i Bllacës dhe kishte qenë ndër të parët që e kishin larguar së andejmi.
Ndryshe nga të tjerët, që më vonë kishte marrë vesh se nga mesi i asaj nate prilli me shi të imët, e deri nga mëngjesi i ditës së nesërme, (pasi ishin nxjerrë ashtu me nxitim dhe pa kurrfarë rendi, me autobusë të mëdhenj ishin dërguar në drejtim të Shkupit dhe gjetiu, pa ditur as vetë se ku), ai kishte qenë i vetmi që ishte kthyer andej nga kishte hyrë, veprim ky që, edhe po të lidhej me farë sjelljeje humanitare ndaj personave të lidhur për karrocën e invalidit të përhershëm, do të duhej të ndodhte e kundërta, pra t´i dorëzohej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ose shërbimeve të tjera të shumta, që andejpari përkujdeseshin për ata që u duhej mbikëqyrje e veçantë, e kjo ia kishte krijuar përshtypjen se ashtu si ishte vepruar me të, e gjitha shfaqej si pjesë e paraparë e asaj lufte, në të cilën – të pafuqishmit si ai, çfarë kishte mjaft, të krisurit mendjeje dhe të shkalluarit shpirtërisht, që kishte edhe më shumë dhe ishin kudo – pas vrasjeve të panumërta, pas pastrimeve etnike me dhunë, të cilat kishin arritur shkallën e krimeve të rënda kundër njerëzimit dhe shuarjes së çdo gjëje të vlefshme aty, ( më vonë me to do të merrej me vite të tëra edhe Gjykata e Hagës dhe forume të tjera ndërkombëtare), pra, të tillët, për pak të ktheheshin në zotërues të vetëm të asaj hapësire të shkretë me çka asaj përfundimisht duhej t´i merrej e drejta jetësore që kishte, që pastaj, gjithnjë në përputhje me qëllimet e një lufte të tillë, t´i kthehej e ashtuquajtura e drejtë historike, pra ajo e të vdekurve me gjithfarë shpirtrash, po ku përjashtohet ardhmëria?…
Ky mendim – që i kishte shkrepur në kokë dhe i ishte ngjitur për të gjatë kohës sa kishte pritur i vetmuar në atë tren me të cilin dy ditë më parë e kishin sjellë me dhunë dhe e kishin futur në të bashkë me ata qindra mijëra të tjerë – nuk do t´i ndahej madje as atëherë, kur, më në fund, pas atij udhëtimi që e kishte quajtur rrugëtim të përhershëm nëpër një botë të përmbysur keqas, ishte kthyer në Dardhishtë, pikërisht aty ku e kishin marrë me dhunë dhe e kishte fare të qartë se ashtu humbte përgjithmonë diçka të pakthyeshme. Madje, të menduarit rreth humbjes së pakthyeshme, që do t´i kthehej në një përndjekje të përhershme, do t´i shfaqet edhe në atë ditën e dymbëdhjetë të qershorit, kur ishin shfaqur trupat e ndërkombëtarëve me ato automjetet e shpejta me flamuj të ndryshëm anash dhe, pas tyre, kishin ngarendur edhe vendorët me ato shkrepjet e pareshtura të armëve të lehta, me të cilat, si thoshin disa syresh – shprehnin gëzimin për shpëtimin që kishte ardhur në çastet e fundit, ndërkaq të tjerë pohonin se kremtonin çlirimin dhe sekush brohoriste edhe për fitoren historike, porse dëgjoheshin edhe buçima të tjera të ngjashme që nuk kishin të ndalur, ndërkohë që ai edhe më tutje kishte menduar rreth atyre që po atëherë kishte nisur t´i hidhte në letër dhe do t´i quante „Bllaca e shpirtit tim“, të cilat përfundimisht e kishin kthyer në peng të asaj që thoshte se e shihte si të djeshme në të sotme të nesërme dhe të nesërme në të sotmen e djeshme dhe ngjashëm me to…
Por, duhet thënë se, jo pa arsye, ajo që Urtakut do t´i ngulitet si një ngatërrim i përhershëm kohe në vazhdimësi, sa ta krahasojë me përsëritjen e të njëjtës dhe bredhje të tjera mendjeje, të ngjashme me këto – e gjitha lidhet me atë hyrjen e fundit në Bllacë dhe largimin e tij, ndër të parët, prej saj në drejtim të vendit nga kishte ardhur, ngaqë ajo hyrje – dalje që ndoshta nuk kishte zgjatur më shumë se pesë-gjashtë orë, ia kishte lënë përshtypjen e një veprimi të përkryer deri në imtësi, që nga dikah çuditërisht ishte mbikëqyrur dhe, edhe lëvizjet që dukeshin fare të pavërejtura dhe në çaste të vetvetishme madje, siç ishin ato kur e kishin zbritur të fundit nga treni ( këtë edhe e kishte pritur), pastaj tërheqja zvarrë nëpër atë baltë deri afër dyerve, lënia për pak përpara tyre, sikur të ishte në tokën e askujt dhe shfaqja pastaj e dy personave nga ana tjetër, që po ashtu, pa nxjerrë zë prej goje, e kishin tërhequr rrëshqanas deri te pjesa e dyerve dhe pasi i kishin mbyllur ato, në largim e sipër për te pjesa e brendshme, kishte parë se njëri prej tyre, me një dritë llambe dore në drejtimin e kundërt, kishte dhënë një shenjë, e cila me të shpejtë kishte tretur në terrin e natës, shenjë kjo që ishte përcjellë me një të ngjashme nga ana tjetër, fikja e së cilës sikur i kishte mbetur në sy që ta pohonte atë të cilën më vonë do ta shohë, por edhe do ta quajë, në mos marrëveshje të plotë, atëherë njëfarë bashkërenditjeje të veprimeve, po se po. Ky dyshim do t´i qepet për koke edhe nga prania e Vojos, për ta përcjellë gjatë gjithë kohës, që nga marrja në shtëpi, nisja në drejtim të asaj që ishte kthyer në qendër grumbulluese tek Udhëkryqi dhe pastaj drejt stacionit hekurudhor të Fushë së Kosovës, nga, në muzgun e mbrëmjes, pasi i kishin rrasur sikur të ishin kafshë në një tren mallrash me shumë e shumë vagonë që ngjanin në hekurishte, shumica të hapur fare, i kishin nisur në drejtim të Kaçanikut dhe e gjitha kishte përfunduar me atë zbritjen, aty nga gjysma e natës, në pjesën kufitare me Maqedoninë, pra në Bllacë, ku Vojo, jo vetëm që nuk ishte përshëndetur me të, por me atë mbetjen në baltë si i ngrirë, sikur e kishte bërë me dije se aty, fatkeqësia nëpër të cilën kalonin, jo vetëm që nuk merrte fund, veçse i rikthente në të njëjtën vorbull përpëlitjesh që t´i zvarriste përherë dhe, të shkallmuar dhe të qullur fare do ta takojë çastin kur pothuajse po ata që e kishin marrë si ndonjë plaçkë tregu, pa nxjerrë zë prej goje, bashkë me karrocën, së cilës tashmë i ishin kyçur rrotat nga balta, e kishin tërhequr zvarrë tutje dyerve me tela gjemborë që ishin hapur me shumë vështirësi nga pesha e baltës dhe e ujërave të grumbulluara aty. Dhe pastaj, ai Vojo, që dukej se ishte krijesa e vetme në atë shkretim që e kishte fat, me përpjekje të fundit, në vend se ta tërhiqte zvarrë bashkë me karrocën në të cilën rrinte i ngjitur (siç ishte vepruar gjatë hyrjes, por edhe gjatë daljes prej saj), e kishte bartur dhe këtë e kishte bërë me mund të madh deri te treni i shkretë, që pasi e kishte hipur dhe vendosur në pjesën e mbrapme të vagonit të fundit, me një frymëmarrje të rëndë që ia dridhte kraharorin e lodhur, kishte vazhduar ta vidhte me atë shikimin e ngrirë prej mumie, të njëjtë me atë që ia kishte hedhur edhe para dy ditësh, kur njësitë paramilitare e kishin nxjerrë nga shtëpia dhe pa i thënë gjë, si ndonjë plaçkë shtëpie e kishin përplasur në pjesën e fundit të kamionit dhe ai nuk kishte bërë tjetër përveçqë – kur e kishin zbritur në të njëjtën mënyrë, sikur të ishte i lidhur për të dhe karrocën e tij – kishte vazhduar ta shtynte dhe ta drejtonte kah ajo turma e madhe që derdhej nga të gjitha anët në pritje të atij udhëtimi të panjohur drejt asaj që më vonë e kishte parë si përplasje të pamëshirshme në atë askundje, ku të gjallët kthehen në të vdekur, ndërsa të vdekurit në kufoma të gjalla.
***