TRILOGJIA GJERMANE 2 – Kujtimet e zonjës von Braun
(Prozë që merret si vazhdim i romanit „Vdekja e Kolonelit”)
I
Atë mbrëmje të freskët shtatori Skulptori kishte pritur thirrjen e Helenores dhe kishte qenë i bindur se telefoni do të binte pikërisht në orën nëntë, si ngaherë, kur posta e Vjenës do ta njoftonte se në lidhje kishte Berlinin dhe pastaj, si një pyetje që nuk pret përgjigjen, do të rridhnin ato fjalët e përhershme e të përgjithësuara rreth dashurisë, me të cilat fillonin dhe mbaronin bisedat, pa marrë parasysh kahun dhe përmbajtjen e tyre.
Por, kur tiktaku i orës kishte rënë nëntë herë dhe pasi kishte lënë jehun e tingujve që ngadalë shuheshin duke u përplasur lehtas në hapësirën e ateliesë, të rrudhur nga punimet e shumta dhe thuajse të harruara, sesi u mbërthye nga njëfarë parandjenje se thirrja mund të mungonte, madje-madje edhe të mos dëgjohej më dhe kështu të merrnin fund njëherë e përgjithmonë bisedat e tyre, të cilat për nëntë vjet e nëntë ditë kishin vazhduar përditë, në të njëjtën kohë, që po ashtu, sipas një rregulli të pashkruar, të cilin e kishte vënë ajo dhe i ishte përmbajtur me përpikëri të çuditshme, ato kishin zgjatur nëntë minuta dhe nuk kishin qenë vetëm pjesë e një shprehie të kaluar në një gjë të rëndomtë që përsëritet përditë, porse edhe më shumë se kaq: një shqetësim, i cili kishte përshkuar shumë gjëra nga jeta e tyre, me rënie dhe përfundime të ngjashme.
„Kur nuk bie zilja e telefonit megjithatë nuk merr fund e gjitha, veçse gjendja e përkohësisë së mundimshme, me gjithë ato përsëritjet e vazhdueshme, zëvendësohet me sprovën e përhershme të dashurisë dhe me thirrjen e saj të pandalshme, të cilën janë në gjendje ta dëgjojnë vetëm ata që njëherë e përgjithmonë e varrosin urrejtjen…“
Kështu i kishte thënë ajo kohë më parë, pasi nga nipi Gynter Hajer Skulptori tërthorazi kishte marrë njëfarë njoftimi për gjendjen e keqësuar shëndetësore dhe që ia kishte përshkruar me vështirësi të shpeshtuara të frymëmarrjes, të cilat ishin astmatike. Dhe, për ta kursyer nga mundimi i bisedimeve, pyetjeve të shtruara ai sadopak u kishte bishtnuar, duke ua rrudhur përgjigjet, por ajo me të shpejtë e kishte hetuar dhe i kishte thënë se bisedat që bënin plotësonin atë zbrazëtinë, në të cilën ishin përfshirë nga mungesa e dashurisë dhe që ishte e domosdoshme të mbushej me kuptimin, por edhe me ndijimin e saj, më se të nevojshme për ato rrethana, të cilat ajo i quante të mjera pikërisht pse u mungonte dashuria, e kështu me radhë, duke i holluar dhe stërholluar gjithnjë, për t’i kthyer aty ku dukej se as nisnin dhe as sosnin.