TRILOGJIA GJERMANE 3 – Kodi i dashurisë

Spread the love

[Shkarkoje Librin]

            I

            Fjalët e fundit që Kujtim Kosova ia kishte dërguar redaksisë gjermane ditën që qe mbyllur ajo fushata ajrore, të cilën ai e kishte quajtur të paqartë për nga qëllimet dhe me  pavendosmëri të veprimit ushtarak, kishin qenë pikërisht ato fjalë që lidheshin me kodin e luftës, i cili kishte mbetur i hapur.

Në paraqitjen e tetëdhjetekatërtë me radhë, me gjashtëmbëdhjetë qershor, ndonëse nga ana e redaktorit, i cili gjatë atyre shtatëdhjetë e tetë ditëve të ndërhyrjes ndërkombëtare nga ajri  mbante lidhje të rregullta  me të, i ishte bërë me dije se ajo që prej tij quhej e paqartë për nga qëllimet dhe mungesë vendosmërie e veprimit ushtarak dhe ndokund shihej edhe si luftë qytetërimesh, madje edhe më shumë se kaq, kishte përfunduar para gjashtë ditësh dhe se mund të ishte ndonjë pengesë e shfaqur që  nuk e linte ta vërente – ai megjithatë i kishte thënë se  edhe më tutje vazhdonte koha e kryqëzatave që, për fat të keq, vështirë mund të ndalen pa shpalljen e kohës së dashurisë së përhershme dhe të përgjithshme, të ngjashme me atë ndijimin hyjnor, që perëndesha dashuri ua kishte dhuruar krijesave me rastin e shfaqjes së mbretërisë së tokës…

Ato që kishte thënë rreth kohës së kryqëzatave të përgjakshme, që do të vazhdonin dhe do të vazhdonin gjithnjë derisa të shpallej ajo koha që ai e kishte quajtur të dashurisë së përhershme dhe të përgjithshme, sikur ishin theksuar gjithnjë më shumë, sa më tepër që i afrohej fundi asaj, të cilën ai e quante ndërhyrje të paqartë për nga qëllimet dhe mungesë të vendosmërisë së veprimit ushtarak. Të tilla kishin tingëlluar edhe atë ditën e gjashtëmbëdhjetë të qershorit, kur i kishte nxjerrë ato fjalët për kodin e hapur të luftës, të cilat kishin mbetur të xhiruara për të dëshmuar atë farë mëdyshjeje dhe shqetësim të thellë që, siç do të shihet më vonë, do t´i shërbenin për të nxjerrë përfundimin se me ndërprerjen e luftërave mund të merrnin fund vrasjet dhe armiqësitë, por assesi shqetësimet dhe të papritura të tjera, me të cilat ushqehen të ashtuquajturat kohë të paqarta të paqes, të cilave gjendjet kalimtare u përcaktohen si shërim, në ç’mënyrë mbarsen dhe rimbarsen situata të ndryshme me rreziqe, të cilat u duhen luftërave të tjera…

            Gazetari Vili Bauer, që për vite të tëra kishte qenë korrespodent në Zagreb dhe nga andej pothuajse dy – tri herë në vit kishte udhëtuar për në Prishtinë dhe ndonjëherë edhe për në Shkup, ishte  ndër të paktët që kishte pasur rastin të përcjellë bisedat ditore të redaksisë me Kujtim Kosovën, gjatë atyre tetëdhjetë e katër ditëve dhe kjo madje iu kishte caktuar si detyrë parësore. Përjashtim këtu kishin bërë vetëm dita e shtatë dhe e tetë e qershorit, kur kishte qenë në Bon për të marrë pjesë në mbledhjen përfundimtare të Grupit të Kontaktit, (me ç´rast, një ditë më vonë, në Këln, presidenti amerikan dhe ai rus kishin shpallur marrëveshjen për ndërprerjen e asaj që ishte  quajtur  ndërhyrje ajrore humanitare). Andaj, fjalët për mbetjen e hapur të kodit të luftës, të nxjerra prej tij atë mëngjesin e gjashtëmbëdhjetë qershorit dhe të tjerat si këto, i kishin tingëlluar  si pjesë e atyre thyerjeve shpirtërore, që u shkonin  gjendjeve tepër të rënda nëpër të cilat kishin kaluar që të gjithë që prej vitesh dhe se ishte për t´u pritur që përhitja e asaj lufte, ku më shumë e ku më pak, në njëfarë mënyre edhe më tutje do të vazhdonte si një ankth i madh.

***