Jeniçeri i fundit
Perëndimin e diellit e përcolla sikur të kërkoja diçka të veçantë në kapërcimin midis kuqërremit të butë në të zbehur dhe hijes së lehtë që lirohej nga kodrina përballë për t’u derdhur në ngushticën e detit, valët e të cilave shkriheshin në njëfarë pajtimi të qetë nga brenda, pikërisht aty ku shënohej ajo që ngaherë merrej si ndarje e dy botëve. Në atë pikasje, të asaj që kush e shihte si kufi i luftës së të kundërtave e kush si puqje dhe bashkim i tyre dhe ndryshe-ndryshe, një zë i brendshëm, apo tjetri në mua, që mund të ishte edhe Guri i fëmijërisë (emri i mirëfilltë, që do të më përkujtohet si Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut), po më fliste për udhëtimin që tashmë kishte nisur dhe duhej të më çonte aty ku fundi ishte fillim dhe fillimi fund, që në njëfarë mënyre pasqyronte shpërputhjën e përhershme midis pushtetit të dijës dhe dijës së pushtetit, e ku si do të shihet me anën e ndjenjës së Vatanit, do t’i kthehesha vetvetes, ndonëse i humbur…
Me një gjuhë gjithë dridhërima dhe fjalë të veçanta, të shkëputura qëllimisht në mënyrë që të shmangeshin porosisë troçe, zëri i brendshëm apo ai Gur-Guri i fëmijërisë, që më dukej se pas asaj heshtje aq të gjatë ishte zgjua në mua, mundohej mos me e zanë ngojë as fundin e Rendit të Jeniçerëve, e as mundësinë e luftës për jetë a vdekje me Rendin e Ri Ushtarak me të cilin do të ballafaqoheshin frymëzuesit kryesor shpirtëror të tyre, fuqia e të cilëve i kishte ngritur, mbajtur dhe drejtuar Perandorinë në të gjitha fitoret.
“Shembja fillon aty ku përfundon ngritja, ndërsa ngritja fillon aty ku përfundon shembja…”
Një copë herë dëgjova të më vërtiteteshin fjalët për shembjen dhe ngritjen, që nuk paraqisnin tjetër pos pjesën e rrethit të përhershëm të përsëritjes.
“Nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit, siç nuk ka asgjë të qëndrueshme përveç ndryshimit…”
Në vazhdim m’u thanë edhe këto:
“Asgjë nuk prehet…Çdo gjë lëviz… Gjithçka lëkundet… Në këtë lëkundje është Mençuria – djepi i gjithësisë…”
Rreth Mençurisë dëgjova edhe disa fjalë që nuk ishin vetëm këshilla:
–Mençuria është fuqi dhe fuqia është Mençuri, dhe të dyja bashkë e bëjnë gjithçka të përsosur, por edhe të paqëndrueshme njëherësh…
-Andaj, mos je krenar për Mençurinë edhe pse asaj nuk duhet t’i ndahesh dot!
Sepse, njeriu i mençur e lejon zemrën e tij të rrjedhë e të dalë nga shtrati, siç e bën edhe të ngurtë përjetësisht…”
Por, ai zë i brendshëm i tjetrit në mua apo Gur-Guri i fëmijërisë, pas atyre që m’i tha për Mençurinë , gjë që nuk i kisha pritur se do të ishin të tilla, vazhdoi më tutje të shpalosë mendime të ngjashme, me ç’rast zuri të fliste për Lëkundjen, duke ma bërë me dije se është diçka që mban në dorë thelbin e pushtetit, atë që rëndom nuk kuptohet drejt dhe më kohë, por të shumtën keqpërdoret edhe në emër të Krijuesit, të cilit rëndom i ndajmbathën të gjitha, madje edhe gjërat më të keqia…
Kështu, duke u sjellë dhe përsjellë me mendime të ndryshme, të cilat tha se vinin nga Dijet e Vjetra me të cilat do të ballafaqohesha meqë vetëm me anën e tyre mund të arrihej çlirimi nga dhuna e dijës së njëanshme, zëri i brendshëm apo Gur-Guri i fëmijërisë, prej të cilit mendoja se isha shkëputur dhunshëm kur kisha marrë rrugën e Perandorisë, më tha se ato gjenden të shkruara te librat e vjetra, ku fshihet edhe çelësi i krijimit nga zanafilla dhe gjithë ato mbi të cilat mbështeten qytetërimet që njihen dhe nuk njihen, të perënduarat dhe të harruarat, të cilat paraqesin shtratin e mendësisë universale, atë qendër madhore, të cilën e njohim aq pak dhe e luftojmë aq shumë…
“Mos pusho së reshturi në kërkim të librave të vjetër…Ato gjenden në botën e lashtë, që nga të dijshmit e hershëm quhej Pellazgji…”
Ndërsa rreth zanafillës m’i tha edhe këto:
“Njeriu është një yll i kufizuar në një trup, derisa, në fund, të çlirohet nëpërmjet luftës së tij të brendshme…
-Vetëm nëpërmjet përpjekjeve dhe duke punuar deri në pafundësi, ylli brenda teje do të çelë serish në një jetë të re…
-Ai që njeh zanafillën e të gjitha gjerave, ylli i tij është i lirë prej mbretërisë së natës…”
Kur m’u thanë këto, sikur hetova një dorë të padukshme, që fare lehtë dhe gjithë dridhërima kapi dorën time dhe me atë shtrëngim të fortë, kërkonte që te unë te derdhej fuqia e fundit që përçonte ndonjë shpirt i ndritur, me çka më bëhej se tashmë pranë po më formësohej ai tjetri në mua, që kohëve të fundi me kishte folur thuajse pareshtur , mbase për me më ngushëllue, rreth asaj se si në botë gjithçka rrjedh në mënyrë qarkulluese, ku gjithçka ka ngritjen dhe rënien, ku gjithçka ngrihet e bie, për të shtuar se në saje të asaj në botë gjithmonë është një veprim e një kundërveprim, një përparim e një tërheqje, një lartësim e një fundosje, që për të, ky ligj manifestohej në krijimin dhe shkatërrimin , në lulëzimin dhe rënien , në ciklin jetësor të të gjitha gjërave, e në fund, edhe në gjendjen mendoret të njeriut, por që të gjitha këto, si dije, gjenden të fshehura te librat e vjetër, që ne u afrohemi vetëm me mendje…
Madje, edhe pse me atë shtrëngim të veçantë dhe shikim të flashkët ai që më bëhej se ishte Gur-Guri i fëmijërisë, sikur kishte dalë nga ndryrja e brendshme që t’i ikte fundit tragjik, me të cilën do të ndeshesha pashmangshëm, siç do të ndesheshin edhe mijëra dhe mijëra shehlerë, dervishë dhe pjesëtarë të tarikatit tonë të cilët e kishin më se të qartë se Rendi i Ri Ushtarak do t’i qëronte hesapet me në meqë ashtu luftonte për jetë a vdekje mësimet e shenjta mbi të cilat ishte ngritur dhe kishte qëndruar Urdhri ynë, kësaj nuk kisha dëshiruar t’i besoja, nga bindja se tashmë, ai zë i brendshëm me të cilin po ballafaqohesha, nuk paraqiste tjetër pos ndërlidhjen me hyjnoren, me të cilën kisha bashkëjetuar gjatë atyre viteve e viteve nëpërmes ndijimit të veçantë, dhe se ajo ndërhyrje kishte për qëllim të nxirrte në pah bashkëjetesën e të kundërtave në mua si pjesë e të qenit të përhershëm?…
Dhe, me bindjen se tashmë nuk isha i vetëm e as i qetë nga të panjohura e ndryshme me të cilat do të ballafaqohesha, ku nuk duhej përjashtuar as ato që ai tjetri në mua apo Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Gur i Dheut si zë i fëmijërisë tashmë kishte zënë t’i shpaloste me çka gjithnjë e më shumë bindesha se vetëdija dhe ndërdija (së paku te unë) kishin një shtrat të përbashkët dhe ishin ato që fundit tim të pashmangshëm do t’i jepnin një kuptim që nuk ma kishe marrë mendja se do të ishte i tillë ( futja në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë), hipa në barkën e vogël, me të cilën duhej të kaloja në pjesën tjetër të ngushticës së detit, pikërisht atje ku thuhej se përfundonte Lindja dhe fillonte Perëndimi, përkufizim ky që për mua, ishte i papranueshëm dhe madje i padrejtë, meqë frymës së ndijimit ia vente përkufizimet dhe ndarjen në kundërshtim me fuqinë e shpirtit të përbashkët qiellor nga gjithësia e pashtershme, që ai nuk i njeh, pale se mbi to pastaj ishin krijuar përçarjet dhe urrejtja si shkas i luftërave të pandalshme, të cilat u duhen atyre që besimin e shohin si forcë dhe si të tillë e përdorin për të ndërtuar pushtet mbi njerëzit dhe hapësirat e mbikëqyrura prej tyre në vend se të ndodhte e kundërta…
Por, era e lehtë që mori me vete barkën dhe e drejtoi në anën e kundërt sakaq ma krijuan përshtypjen se në atë kapërcim të shkurtër “nga njëra anë e botës në tjetrën” nga perceptimi i burimi të besimit (në diell apo hënë) dhe pas atyre që për vite e vite i kisha dëgjuar dhe të tjerave që i kisha marrë me mend, tashmë sikur kisha filluar të lirohem nga lëkura e jeniçerit, me të cilën kisha kaluar për tetëdhjetë vjet, i bindur se ai ndryshim ishte i natyrshëm dhe në përputhje me atë përmbushjen shpirtërore që vinte nga mësimet e Sari Salltëkut të lavdishëm, pikërisht atyre që kishin frymëzuar Urdhrin dhe Rendin, të cilat doemos se kthenin te besimi i vjetër, që lidhet me Krijimin nga gjithësia dhe Krijuesin si mbikëqyrës i saj, ku i Krijuari shfaqet në formën më të lartësueshme të ngritjes, njëherësh duhet kuptuar edhe si Krijues…
Në të vërtetë, në atë përvijim të ndryshimit të gjendjeve, kur tjetri në mua ose zëri i brendshëm nga fëmijëria si Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut po më thoshte se deri më dje i kisha takuar një Urdhri që i kishte shërbyer ngritjes dhe mbajtjes së pushtetit me anën e forcës së besimit, që vjen nga shpirti me anën e thellimit në të, ndërsa në të ardhmen duhet të ballafaqohesha me pushtetin që ngrihet dhe ndërtohet mbi besimin e forcës që kthehet në dhunë, siç kishte qenë ajo e kamotshmja që kishte nxitur luftëra dhe kobe të pandalshme, në vend se të merrja vetën dhe të vetëdijesohesha për gjendjen me të cilën tashmë po ballafaqohesha, për herë të parë dhe fare papritmas hetova përftimin e një boshllëku (të strukur tinëzisht), që më bëri të ndjehem as jeniçer, e as tjetër, gjendje kjo që m’u duk e ngjashme me atë të para tetëdhjetë vitesh, kur i përcjellë nga im Atë, në rrugë për tek sheshi i kishës, ku bashkë me të tjerët duhej të merrnim rrugën e pa kthim, kisha ndjerë mundimin e atij tundimi, që duhej me ia lëshue vendin një mbushjeje fare të panjohur po aq sa edhe të frikshme së cilës medoemos duhej t’i nënshtrohesha?
Atëbotë, pasi që isha ndarë nga motra dhe nga vëllai, që kur i kisha marrë ngrykë kishin ulur shikimin sikur të fshihnin një dhembje të pashpjegueshme dhe, kur ime Amë më kishte shtrënguar fortë e me një zë të qetë më kishte thënë se çfarëdo që do të ndodhte mbetesha Gur-Guri, Gur i Nanës dhe Gur i Dheut, doemos se një ditë do ta takoja (pasi që të kisha kaluar nëpër shtatë bjeshkë dhe shtatë kështjella), pra në atë përpëlitje të pabesueshme me të panjohurat që po më vërtiteshin furishëm, kisha hetuar tundimin e asaj zbrazjeje, të ngjashme me një shpëlarjeje nga pesha e atyre që kisha menduar se do të më ligështonin me rastin e ndarjes, të cilave, u kisha druajtur më së shumti.
Por, ato nëpër të cilat kisha kaluar që nga koha kur im Atë fare i thyer më kishte folur gjithë mjegullim rreth asaj rrugë të gjatë e të pakthyeshme (duke ma bërë me dije se kuptimin e saj do ta merrja vesh më vonë, sapo të largohesha nga ajo botë e mbyllur për të cilën fliste se kishte një fuqi të jashtëzakonshme që t’i shkatërronte që në nismë ata që kërkonin me i kapërcye kufijtë e saj dhe fjalë të tjera të ngjashme), nuk kishin qenë tjetër pos parapërgatitje të më bëhej me dije ai ndryshimi i pashmangshëm, të cilit duhej t’i nënshtrohesha, në mënyrë që ta përballoja sa më lehtë shkëputjen nga kalimtarja, siç i thuhej, duhej të merrej si një kapërcim tek e ardhmja, me të cilën isha i gjykuar që të njësohesha pa denjuar që ndonjëherë ta ktheja shikimin pas.
Edhe pse im Atë më kishte folur për një dhunti, e cila duhej të gjente pasqyrimin e vet në një hapësirë të pafundme, jashtë atij rrethi të mbyllur në të cilën gjendesha ( dhuratë kjo që sipas tij, u takonte vetëm të rrallëve, dhe këtë ishte munduar me ma shpjegua me anën e disa sajesave, që atëbotë me vinin të pakapshme, por që më vonë, sapo të kthehesha në atë vorbull që po më priste të më përpinte në shenjë hakmarrje, pak nga pak do t’i ndriçoja si dhunti që vinin nga ndijimi hyjnor), e kisha të qartë se bëhej fjalë për një ndarje, e cila nëse nuk ishte e dhunshme, atëherë e detyrueshme gjithsesi, por që kjo atëbotë shfaqej e mjegullueshme pikërisht pse përcillej nga shpjegime të paqarta, të shumtën me ato që lidheshin me diçka që lente me kuptue se ishte jashtë pushtetit të tyre, së cilës duhej t’i nënshtroheshin përulësisht e të ngjashme…
Natyrisht, se ato që nuk kisha qenë në gjendje t’i kuptoja atëherë – sa nga gjuha e fshehur që lidhej me “dhuntinë e jashtëzakonshme”, që nga im Atë thuhej se e kisha nga dika ( diçka që vihej mbi çdo gjë dhe duhej të pranohej me përulje të plotë, për çka një ditë do të vetëdijesohesha), e sa nga mundimi i pikëllimit që kishte filluar të zinte shikimin e sime Amë që disi përpiqej ta fshihte me fjalët Guri i Nanës, dhe Guri i Dheu, që të shoqëruara me ato se “hija ime megjithatë mbetej në lëkurën e gjarprit të shtëpisë”, të cilat m’i drejtonte pareshtur si një refren të ndryrë që duhej ta merrja me vete – asaj ndarje, së paku, nuk duhej t’i frikësohesha, por t’i jepesha i tëri, meqë e gjitha lidhej me atë se po shkoja për t’u bërë ai që duhej të isha në të vërtetë, ngaqë kjo nuk mund të bëhej aty, por diku tjetër, paçka se kuptimi i bërjes jashtë hapësirës sonë mbetej fare i paqartë dhe po aq i pakapshëm madje, ngaqë “hija ime” mbetej në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë, që do të thoshte se diçka imja mbetej këtu përherë, që atë largim të mos e bënte të përhershme (siç do të ndodhë në të vërtetë),e hamendje të tjera të ngjashme, që jo vetën nuk kishin fund por mendja ime nuk ishte në gjendje t’u jepte përgjigje…
Por, nga moria e atyre që kisha dëgjuar dhe gjithnjë e më shumë më vinin vërdallë, megjithatë “lirimi” nga lëkura e Gjarprit të Shtëpisë për me iu bashkue një lëkure tjetër (Gjarprit të Pemës, që i për ndryshim nga ai i shtëpisë ruante botën), ku thuhej se dija e gjakut (për të cilën fliste ime Amë si për diçka që bartte unazat e llojit të veçantë dhe ushqente njësoj dhe gjithmonë fisnikërinë e lindur dhe atë që nuk tjetërsohet nga bindjet ose besimet çfarëdo qofshin), e plotësonte i ashtuquajturi gjak i dijës, ose dije e përbashkët, të menduarit njëjtë dhe të ngjashme, për të cilat im Atë më kishte thënë se duhej t’u takoja, meqë ato ishin edhe pjesë e Dijeve të Vjetra, përherë të fuqishme, por të fshehura, me të cilat një ditë do të ndeshesha doemos…
Megjithatë, çastin që isha ndarë nga im Atë – dhe kjo kishte ndodhur në një ditë vjeshte me diell të shndritshëm, që nuk e kishte nxehtësinë përcëlluese të verës kur para kishës së vogël të sheshit na morën të huajt ( mes tyre një dervish zgjatan tepër i sjellshëm, i cili pasi na kishte veshur rrobat e reja: një këmishë e linjtë sipër brekusheve e njëjtë për të gjithë, na kishte dhënë gurabi dhe na kishte thënë se po merrnin rrugën e përhershme drejt urdhrit të lavdisë) – pamja e prindërve me gjithë kujtimet e fëmijërisë dhe të tjerat që e shoqëronin atë po më kthehej në një lëkurë Gjarpri të Shtëpisë, përgjegjëse për ruajtjen e atyre që i takonin qenies së paharrueshme. Dikur, madje, pas shumë ditë udhëtimesh, që ishin përshkuar me pushime të shkurtra nëpër vende të ndryshme fare të huaja, ku na bashkoheshin edhe të tjerë, që ndonëse flisnin gjuhë të ndryshme dukej sikur ishim të njëjtë, pra në atë përzierje që paraqiste fillimin e asaj shkrirjeje që do t’i nënshtroheshim, kur iu afruam ngushticës së detit dhe po bëheshim gati të hipnim në varkën që duhej të na bartte në anën tjetër,përfytyrimi i lëkurës së Gjarprit të Shtëpisë m’u kishte kthyer në një hajmali të brendshme shpirti, nga e cila më bëhej se kishin burimin fjalët e sime Amë (Gur-Guri, Guri i Nanës, dhe Guri i Dheut), hajmali kjo që megjithatë nuk e përjashtoi edhe atë lëkurën e Gjarprit të Pemës, që im Atë e shihte si një dhunti që e hetonin “të veçantit”, të cilët ngarkoheshin me përgjegjësi po ashtu të veçanta për drejtimin e njerëzimit e të ngjashme, gjë që në njëfarë mënyre ma bënin me dije se lidhja me lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë ose të tokës paraqiste lidhje me krijimin dhe kujtesën, ndërsa lidhja me lëkurën e Gjarprit të Pemës, ose gjarprit të qiellit paraqiste pranim i të ardhmes jashtë të kaluarës, madje duke e përjashtuar atë?…
Dhe trysninë e pranimit të së ardhmes pa të kaluar, ku lidhjen e gjakut e zëvendësonte ideja e dijes së përbashkët si të mbikëqyrur, pra të asaj që lidhet me pushtimet dhe si diçka që përjashtonte të tjerat, zura ta njoh atëherë kur pas shumë ditësh udhëtimi iu afruam Kodrës së Shenjtë, që shpinte te ngushtica e detit, e cila lidhte Perëndimin me Lindjen.
Aty arritëm kur rrezet e dobëta po i afroheshin perëndimit dhe një freski e lehtë po na ndihmonte ta përballonim lodhjen e ditës ndër më të gjatat dhe ndër më të mundimshmet jo pse kishim qenë të detyruem me e kalue pa futur ujë në gojë, edhe pse ai nuk i mungonte karvanit të gjatë që na përcillte, ku kishte ushqime dhe ujë me bollëk, por pse na ishte thënë se ajo “ditë e veçantë” me të cilën mbyllej udhëtimi “nga njëra pjesë e botës në tjetrën”, duhej të ishte ditë agjërimi para se të jepnim betimin e Urdhrit ku do të pranonim emrat e rinj, ata të përhershmit, me çka përfundimisht shkëputeshim nga e kaluara pa ndonjë kuptim me iu dhanë të ardhmes së shenjtë.
Dhe në atë përpëlitje me lodhjen dhe etjen e tmerrshme, përballimi me Kodrën e Shenjtë, para se me u paraqitë ato që lidheshin me ndryshimin e gjendjeve, duhej të shënonte fundin e etjes, pale se shfaqej si parakusht i atij kapërcimi që do të na ndërrojë kahun jetësor, sado që kjo nuk do të ndodhë aty për aty, siç shpresonim. Sepse, hyrja në Kodrën e Shenjtë, në një vend gjithë gjelbërim dhe freski që shoqërohej nga aroma e luleve, u përcoll me një ritual tjetër, i cili filloi sapo purpuri i perëndimit pllakosi gjithë vendin për të vazhduar gjatë gjithë natës me shumë e shumë sfida ndër më të paparashikuarat, deri sa u shfaq agsholi i ditës së nesërme kur nga përfshirja në një ritual dalldie, pranuam një gjendje tjetër shpirtërore, që mundësohet kur shpirti mund vuajtjet trupore.
Në ndërkohën nga purpuri i perëndimit i diellit deri te agsholi i ditës së re, më kujtohet si kishin pasuar, sipas një rendi tejet të përpiktë, që të gjitha ndryshimet: nga marrja e emrave të rinj, atyre të përhershmëve e deri te betimi para varrit të Haxhi Bektashit të shenjtë, që do të bëhej pas ziqrit, prej nga pastaj do të fillohej jeta e jeniçerit, që nuk mund të merrej ndryshe pos lirim i përhershëm nga lëkura e Gjarprit të Shtëpisë dhe besimi i shenjtë në të.
Në të vërtet, heqja e emrave, me të cilin ishte hapur rituali, nuk kishte kërkuar ndonjë veprim të veçantë, meqë nga çasti i ndarjes nga prindërit (kur i ishim lënë në përgjegjësinë e dervishit thatak dhe njerëzve të tij), në atë morinë që sa vinte e shtohej bashkë me ndjenjën e një shkrirjeje në të, na thuhej se për të gjithë vlente emërtimi i përbashkët “Abdullah”, që si “bij të Allahut” bëheshim gati të futeshin në Urdhrin e Veçantë dhe prej nga pastaj pagëzoheshim me emrat e rinj, me çka përgjithmonë duhej t’i harronim emrat që kishim, siç duhej ta shporrnim edhe të kaluarën tonë.
Por, vallë, a ishte e mundur sakaq të bëhej kjo kur ishte ajo lëkura e Gjarprit të Shtëpisë, bashkë me atë fjalët e sime Amë ( Gur-Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut) , të cilat, pa marrë parasysh ndarjen dhe pa marrë parasysh kohën që do të hynte në mes, me anën e kujtesës qoftë edhe të turbullt, lironin porosi shpirti, të cilat bënë që një ditë rrugëtimi im të kthehej prej nga ishte nisur?…
Edhe pse ishte fjala për një fillim dhe për një kujtesë të përbashkët e të mbikëqyrur si të përhershme, ku besimi duhej të njësonte dijen dhe shpirtin, që si parakusht kishte shkëputjen nga fillesa dhe largimin nga “qenia e veçantë”, me të cilën lidhet secila krijesë, si do të shihet, kjo nuk ishte e mundur, sepse të përbashkëtës sado e arsyetuar që të ishte, karshi kujtesës shpirtërore, nuk i mjaftonte vetëm vullneti për bindje e as detyrimi i nënshtrimit, të cilat i përjashtonte vullneti për fuqi…
Por, krahas “të përbashkëtës si detyrim i nënshtrimit”, ku fshirja e kujtesës nëpërmes ndërrimit të emrave paraqiste hapin e parë dhe më domethënës, që kishte zënë fill në një shesh të hapur, të rreshtuar në një gjysmë harku përballë një shatërvani të madh që pareshtur dhe shumanshëm përhapte currila uji të freskët, aty dëgjuam edhe për pastrimin e jashtëm, atë të pavërejturin, para se të vazhdonim me pjesën tjetër të ceremonialit. Një dervish tjetër me një mjekër vezake, fes të madh në kokë dhe pelerinë të bardhë me gajtanë të praruar me ar , i shoqëruar prej shumë të tjerëve që i shkonin pas, me shenjën e dorës që jepte, na shkëpuste një nga një nga radha e gjatë, dhe pasi na ledhatonte, me fjalët që nuk i kuptonin, na hapte rrugën për te dervishët tjetër, që na merrnin përsipër dhe na shoqëronin deri te uji i shatërvanit, ku duhej të pastronim lehtas duart, fytyrën dhe kokën, që pastaj e gjitha të përfundonte me futjen e një grushti ujë në gojë, me të cilin ajo duhej të shpërlahej për t’u nxjerrë jashtë dhe assesi të pihej.
Më kujtohet se atë etje shkallmuese të parën dhe të fundit të tillë në jetën e time, etje kjo që do të m’i përkujtojë sfidat e ndryshimit të gjendjeve, fillimisht e bënin edhe më të padurueshme stërpikat e ujit që vinin, ndërsa ajri i mbushur me lagështi përvëlimin nxehtësisë së brendshme në vend se t’ia fashisë ia shtonte edhe më, ndërkohë që ajo dorë uji që e fusim në gojë për me e shpërla atë, krijonte përshtypjen e të dënuarave me etje përballë ujit, gjë që paraqiste një shkallë të paparë dhune, me të cilën duhej pajtuar durimi i jashtëm me atë të brendshmin në mënyrë që të krijoheshin rrethanat për atë pastrimin e brendshëm shpirtëror që besimit të ri i duhej si shtrat i përhershëm…
Megjithatë, ajo që prej nesh kishte filluar të përjetohej si mundim i rëndë dhe te disa me u kthye në alivanosje, kishte marrë fund me shpërthimin e një shiu si rrebesh, që ishte shfaqur çastin që kishim përfunduar pastrimin dhe na kishin drejtuar në një pjesë tjetër, po ashtu të rrethuar me gjelbërim të shumtë, që dukej si një kube. Uji që kishte rënë si rrebesh sipër dhe ne e kishin përjetuar si shpëtim përballë shkallmimit fizik, nuk kishte qenë shi, siç kishim pandehur shumica prej nesh, por ishte pjesë e një spërkatje të qëllimshme nga pjesët e skajshme me anën e çepave shpërndarës, që hidhnin ujë nga lartë dhe ai dukej sikur të ishte shi. Gjatë asaj spërkatje që i ngjante rrebeshit të shiut, kishim bërë çmos që me kokën përpjetë, me gojën e hapur dhe duart e mbledhura përskaj saj, me thithë sa më shumë ujë. Në atë përpëlitje me ujin shumë prej nesh ishin rrëzuar dhe shkallmuar madje nga lëvizja e pambikëqyrur e masës, por kjo nuk kishte ndërprerë betejën e ethshme për ujin, që kishte vazhduar përder sa, ashtu si kishte filluar, befas ishte ndalur, duke ia lënë vendin një avulli që ishte liruar nga trupat tonë të nxehur dhe nga gurët e shtruar, sikur të ishte pjesë të së papastrës, nga e cila, në atë mënyrë dhe vetëm ashtu, përfundimisht duhej të ndaheshim…
Dhe, freskia shkallmuese kishte marrë fund para një varri të madh – një nur i përflakur, që na doli përpara sapo ishim drejtuar në të majtë për në pjesën e një sheshi të madh dhe aty, ku secilin prej nesh e kishte pritur nga një xhybe e bardhë me kullon të kaltër, që duhej ta vishnim pasi që t’i hiqnim përfundimisht rrobat që kishin bartur gjatë udhëtimit. Varri me kube të madhe, i mbuluar me çevre të shumta jeshile, ishte i rrethuar me dy rrathë dervishësh me xhybe mavi, që rrinin këmbëkryq dhe dukeshin si të ngrirë.
Pas një heshtje të bëftë, në atë hapësirën midis tyre dhe dervishëve përreth varrit të madh që rrinte në mes, ishte shfaqur një tjetër dervish me një xhybe mavi të qëndisur me gajtanë prej arit, i cili pasi kishte thënë një lutje të gjatë në gjuhën që nuk e kishim kuptuar, kishte nisur të përshëndeste në gjuhë të ndryshme, ku pas pak, në gjuhën time (dhe kjo më kishte ardhur si diçka e jashtëzakonshme, një trandje e beftë që në mendjen time kishte mbetur e ngulitur përgjithmonë si pjesë e asaj të veçantës, e cila do të përfundojë aty dhe në atë vend), kisha dëgjuar edhe fjalët me të cilat më bëhej me dije se aty isha me dëshirën e Krijuesit; se para se të kalonim në urdhrin e lavdishëm të jeniçerëve, duhej t’u bashkoheshin mësimeve të famshme të Haxhi Bektashi, i cili kishte marrë përsipër që mësimet e Profetit të madh bashkë me ato të mendësitë që dalin nga Krijuesi i gjithëfuqishëm, t’i përhapte në gjithë botën, në mënyrë që besimi i ri njëherësh të shfaqej si forcë mendjeje dhe shpirti me të cilin mundësohej bashkimi i të gjithëve në përbërje të pushtetit të më të mirës, ku dallimet krijojnë fuqinë e të përbashkëtës dhe assesi përçarje, siç do të ndodhë në të shumtën…
Aty, kisha dëgjuar për herë të parë fjalët për fillimin e Urdhrit si besim hyjnor, siç kisha dëgjuar edhe ato që u thanë për Perandorinë si shtrat shpirti, pa të cilën nuk mund të ketë as Urdhër e as Besim dhe asgjë…
***