Dosja e Hapur
P R O LO G
Ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, vdiq tragjikisht Bashkim Kosova.
Bashkim Kosova ishte kampion i gjashtëfishtë i Kosovës në kategorinë gjysmë të rëndë të boksit, kampion i katërfishtë i Jugosllavisë së dikurshme në të njëjtën kategori, kampion i pesëfishtë shtetëror me klubin “Prishtina”, pastaj kamion ballkanik, kampion europian , fitues i medaljes së artë në lojërat olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundit edhe nënkampion botëror në Kampionatin e Boksit Amator në Toronto në vitin 1986.
Bashkim Kosova, kampioni më i madh shqiptar i boksit i të gjitha kohëve, ishte i njohur edhe për meritat e tij në lëvizjen kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta :pjesëmarrës në Kuvendin Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputet i parë i kuvendit të Parlamentit të parë të Kosovës të vitit 1992,i burgosur politik nga vitet 1993-1999 nën akuzën që si i përfshirë në veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës kishte marrë pjesë në përgatitjen e rezistencës së armatosur.
Meqë atë ditë, me të drejtë, e gjithë vëmendja e shtypit kishte qenë e kthyer kah shpallja e Pavarësisë së Kosovë, vetëm të nesërmen u mor vesh çfarë kishte ndodhur në orët e hershme të 17 shkurtit në katundin Hade, të komunës së Kastriotit – ish Obiliqit.
Ra në sy se njoftimi që u dha ishte jashtë jehonës që duhej ta kishte kjo ngjarje, që lidhej me vdekjen e një personaliteti të madh të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, sukseset e të cilit lidheshin me afirmimin e Kosovës brenda dhe jashtë, por edhe me procesin e shtetformimit.
Por, interesimin për vdekjen tragjike të kampionit të madh, që kishte shpërthyer me të drejtë në opinion pas heshtjes në të cilën ai ishte mbështjellë gjatë atyre tetë viteve të protektoratit ndërkombëtar, në të vërtetë e kishte provokuar pikërisht informata zyrtare në të cilën ishte thënë se Bashkim Kosova ishte gjetur në një gjendje thuajse pa shpresë, i përplasur nga një veturë e panjohur para kafenesë “Vatra”.
Informata mbyllej me stereotipin e njohur se “po punohej që të ndriçohej rasti”!
Kaq!
Të nesërmen, kjo informatë, ishte vërtetuar nga gjykatësi hetues, por tash duke u cilësuar si“aksident komunikacioni me pasoja tragjike”.
Bazuar në deklaratat e hetuesit zyrtar të çështjes të dhëna me aq nguti, fitohej përshtypja se i gjithë rasti do të mund të mbyllej shpejt e shpejt dhe Bashkim Kosova, mund të shpallej madje shkaktar i fatkeqësisë, nga ndonjë pakujdesi, pse mund të ketë qenë i dehur ose i hallakatur fare, dhe me aq rastit t’i vihej pika!
Pse jo, kur ditë më par, për një drejtues të një institucioni të lartë, që ishte gjetur me fyt të prerë dhe shumë e shumë plagë të marra në trup nga një thikë,ishte thënë se kishte bërë vetëvrasje!
Me siguri se edhe rasti tragjik i Bashkim Kosovës, kampionit të madh të boksit, do të mbyllej sipas asaj që ishte thënë nga hetuesia, po të mos ishte dëshmia e mjekut kujdestar dr. Gazmend Bardhi, që nuk e kishte lejuar këtë.
Mjekut, që pacientin e kishte pranuar të vdekur, kishte mbikëqyrur autopsinë, me të cilën ishte vërtetuar se shkak i vdekjes nuk ishte përplasja në makinë, siç thuhej nga hetuesi, por ishin tri të rëna që viktima kishte marrë në kokë (mund të ishte fjala për shufra hekuri), së paku tetë orë para se të arrinte në spital ( që lihej për t’u kuptuar se lëndimet vdekjeprurëse, sipas të gjitha gjasave me shufra hekuri, kishin ndodhur diku nga mesnata dhe jo si thuhej në orën e hershme të ditës).
Kjo dëshmi, ndryshe nga të dhënat që kishte paraqitur gjykatësi hetues, hapte çështjen e një vrasjeje me paramendim, në të cilën, gjykuar sipas gjurmëve të shufrave të hekurti, kishin marrë pjesë më shumë se një person.
I tronditur nga ajo që kishte rrjedhur në shtyp dhe media dhe veçmas i befasuar nga deklarata e gjykatësit hetues (edhe pse autopsinë ia kishte dorëzuar personalisht dhe me procedurë të plotë zyrtare Gjykatës së Prishtinës po atë ditë rreth orës 16), dr. Gazmend Bardhi, me dosjen e plotë të autopsisë, ashtu siç ia kishte dorëzuar Gjykatës, ishte paraqitur në redaksinë e gazetës “Dje”.
Gazeta “Dje”, me një titull që për shumëkënd simbolizonte kohën e shkuar si vlerë dhe, krahasuar me të tjerat që fund e krye ishin organe të partive politike ose që vepronin nën mbikëqyrjen e përhershme të shërbimeve informative partiake që caktonin por edhe filtronin ato që duhej t’i jepeshin opinionit, dëshmive të mjekut Gazmend Bardhi u kishte bërë jehonë të madhe. I nxori në faqen e parë, të përcjella edhe me komentin redaksional, ku hapej dyshimi se edhe kjo vrasje mund të ishte në vazhdën e atyre që kishin ndodhur pas luftës, viktima të të cilave ishin intelektualë të njohur nga radhët e lëvizjes së rezistencës institucionale.
Dyshimi ishte bërë edhe më i madh kur në të njëjtën gazetë, rreth këtij rasti tragjik, kishin filluar të dilnin në pah edhe deklarata të tjera, herë anonime e herë të drejtpërdrejta, siç ishin ato të boksierëve Luan Hoti dhe Bekim Krasniqi, nxënës shumëvjeçar të kampionit Bashkim Kosova, me ç’rast ata kishin deklaruar se kampioni kishte kohë që ishte kërcënuar me atentat gjë që për ta kjo paraqiste një vrasje të paralajmëruar.
Këtë bindje boksierët e rinj e kishin pasur nga çasti që Kampionin e kishin gjetur në atë gjendje të rëndë para kafesë “Vatra” dhe, me të shpejtë, me makinën “Pasat” kishin marrë rrugën për në Qendrën e Emergjencës në Prishtinë, të cilin e kishin përballuar me shumë vështirësi (u ishte dashur mbi një orë). Në atë ngarendje të mundimshme me kohën, që po u ikte,sa më shumë që i kishin humbur shpresat se Kampionit mund t’i ndihmohej disi, sikur kishin gjetur paksa ngushëllim me ato çirrjet lemëristës rreth vrasjes së Kosovës, që ishin përhapur gjithandej si një ogur i ligë që kishte marrë dhenë.
Çirrjet për vrasjen e Kosovës, ata i kishin përsëritur edhe para dyerve të Qendrës së Emergjencës në Prishtinë kur tashmë e kishin të qartë se ai kishte shkuar. Të njëjtat ia kishin thënë edhe mjekut kujdestar dr. Gazmend Bardhit, kur ia dorëzuan trupin e pajetë. Të njëjtat fjalë ia kishin thënë edhe hetuesit të çështjes. Dhe, të njëjtat i kishin përhapur kudo edhe pse nga disa të panjohur ishin kërcënuar haptas…
Shkrimet në gazetën “Dje”, bashkë me deklaratat e sipërpërmendura, por edhe ato të hallës Shpresa Kosova-Berisha se nipi Bashkim Kosova gjatë tre muajve të fundit, i sëmurë rëndë dhe fare i palëvizshëm, nuk kishte pasur mundësi të dilte jashtë e lërë më të ecte rrugës dhe vetëm në atë kohë të pakohë, deshtë a pa deshtë kishin hapur dyshimin se edhe ky rast tragjik kishte prapaskenën e vet, veçmas pse e gjitha kishte ndodhur pikërisht atë ditë të shënueshme dhe në ato rrethana dhe, pse hetuesi kishte desh ta anashkalonte shkakun e vërtetë të vrasjes.
Dhe, në përputhje me trysninë e opinionit, e me ndërhyrjen e EULEX-it, që ato ditë kishte filluar të vendoste misionin në Kosovë, Prokuroria e Qarkut të Prishtinës, jo vetëm që kishte anuluar hetimin e nisur ditë më parë, ku e gjithë çështja shihej si “aksident komunikacioni me pasoja tragjike”, por kishte caktuar një hetues tjetër, i cili punën do ta nisë nga e para dhe me dyshimin “e krimit të kryer me paramendim dhe të organizuar”, hetim ky, që ndonëse kishte shtrirë pistat e veta në shumë drejtime (pa përjashtuar në të edhe përfshirjen e faktorëve ndërkombëtar), si edhe shumë të tjerët të kësaj natyre gjatë atyre viteve, kishte mbetur i hapur dhe çështje ishte se a do të zbardhej ndonjëherë?…
Por, kjo nuk e kishte penguar Arsim Shpatin që të mos i ndahej kësaj çështje. Pas dy vjetësh pune të palodhshme, fillimisht si reporter i gazetës “Dje”, që kishte ngritur gjithë çështjen në opinion dhe, më vonë në cilësinë e publicistit të pavarur, pasi që kishte marrë në shqyrtim fakte të shumta si dhe deklarata të panumërta, kishte dalë me librin“Dosja e hapur”.