Libri i Bllacës 1 – Shënime nga psikiatria

Spread the love

[Shkarkoje librin]

I

Më në fund, pas gjashtë vjetësh, njëmbëdhjetë muajsh dhe gjashtëmbëdhjetë ditësh, Valon Curri duhej të bënte vetëm udhëtimin e rëndomtë, prej trembëdhjetë minutash, me trenin e gjelbër, nga Marbeku deri në  Bjorn dhe prej andej të vendoste për cakun e ardhshëm.

Po, cili ishte ky cak?…

Dhe, po të ishte, ku ndodhej?…

Këtë nuk e kishte të qartë Valon Curri as atë ditë, dhe nuk e pati të qartë as kur ajo kishte marrë fund me atë terrin e turbullt, çuditërisht të përzier me mjegullim të përndritur, të ngjashëm me atë të netëve polare, e nuk e kishte pasur ndonjëherë tjetër, edhe pse nga ato që motra Lyner ia kishte thënë se “zonja Sorensën do të gëzohej kur në ndarje do t´i thuheshin fjalët për zogjtë, për cicërimën e tyre dhe fluturimin në natyrën e lirë“, ai ishte i gatshëm të lirohej nga ankthi i ngatërrimit në hapësirën e asaj që aty ngaherë e kishte parë si fillim pa fund dhe fund pa fillim, për t´u kthyer tek ajo sosja, prej nga kishte ardhur…

Megjithatë, me përshtypjen e mundimit se tashmë detyrimisht ndodhej në kërkim të vetvetes së humbur në hapësirën e  ndokundjes së një askundje, dhe kjo mbase do të mund të paraqiste një bredhje nëpër një labirint të përhershëm, kishte kaluar kthesën e parë në gjatësi prej njëqind e shtatëdhjetë e tre hapash, që do ta shpinte drejt stacionit të Marbekut, pa qenë i bindur se a do ta arrijë ndonjëherë Bjornin.

Ndoshta ishte pesha e kësaj hamendjeje, bashkë me ndjenjën e përhumbjes në rrethanat kur nuk do ta kishte më pranë motrën Lyner, ose zonjën Sorensën, së cilës i kishte druajtur më së shumti, që e kishte ndalur sapo shikimi i mprehtë nga ajo pikë ia kishte kapur hapësirën që ngjitej për lumin e vogël, e cila ndante pjesën e mirëfilltë të qendrës së Donacionit Mbretëror me atë të barakave, që thuhej se ishin shtuar menjëherë pas Luftës së Parë Botërore dhe Revolucionit Bolshevik në Rusi, kur aty kishin gjetur strehim shumë e shumë të përndjekur politikë, por edhe intelektualë të shpronësuar nga bindjet, ku nuk kishin munguar dhe oficerë të gradave, madje nga ato më të lartat, dhe ndonjë klerik ortodoks, të cilëve dhunshëm u ishin marrë tempujt, pamje kjo që më vonë i ishte lidhur me atë përkujtimin e ndodhjes, por edhe të  vazhdimit të Bllacës, si diçka që diku duhet t´i ruhen përmasat reale, në mos për tjetër, të paktën njerëzit të ndërgjegjësoheshin në këtë mënyrë për fuqinë e së ligës dhe për veprimin e saj të pandalshëm në të gjitha kohët, por edhe për ato që mund të sjellin gjendjet që fillimisht shihen me gjakftohtësi, sikur nuk u përkasin të gjithëve, e të tjera si këto, përfytyrim ky që i ishte trashur edhe më shumë nga ato që motra Lyner me një rast ia kishte thënë me druajtje se – ajo pjesë, me baraka të strukura që mund t´u shtohen edhe të tjera, mbetej përherë si plagë e hapur që kullon, ngaqë kishte parandjenjën se edhe më tutje do të kishte luftëra dhe revolucione, si dhe pështjellime të tjera që nuk kishin fund.

 “E keqja midis njerëzve sikur është e pandalshme. Kërkon çastin më të përshtatshëm që të veprojë…Ose, ndoshta vepron vazhdimisht, por ajo hetohet kur bie fuqia e të mirës?…“

Në të vërtetë, nga ato që më vonë kishte marrë vesh shkarazi, kur për pak lirohej nga mbërthimi i mjegullës  së mendjes, në të cilin kishte sharruar ditën e gjashtëmbëdhjetë të asaj ndërhyrjeje ndërkombëtare nga ajri, kur ishte gjetur në Bllacë dhe së andejmi ishte nxjerrë me atë shterimin shpirtëror, edhe pse numri i barakave nuk ishte shtuar që nga koha e shfaqjes së tyre, para nëntëdhjetë e shtatë vjetësh, megjithatë, pa ndonjë zhurmë ato ishin riparuar disa herë, siç kishte ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj nga mesi i viteve pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë e kështu me radhë, gjithnjë në përputhje me krizat dhe shqetësimet që ishin shfaqur në pjesë të ndryshme të botës, veçmas në Lindje, për të arritur deri aty, që me fillimin  e luftës në hapësirën e ish – Jugosllavisë dhe të shpërbërjes së saj, me vendosjen e disa pajisjeve të brendshme (kthinat e veçanta sanitare, mensa e madhe, këndi i çerdhes për fëmijë, e të tjera) të kthehen në njëfarë kampi refugjatësh, sado që kjo nuk ishte pranuar kurrë, nga shkaku se do t´ia prishte namin e mirëfilltë Marbekut, si vend i një donacioni të njohur mbretëror, i cili ndihmonte, por edhe strehonte krijuesit me prirje, si dhe hulumtues të ndryshëm, të cilëve u duhej një ambient i shlirshëm dhe gjithnjë i mbrojtur nga shqetësimet e jashtme, për të cilën gjë edhe merrte përkrahjen prej dhuruesish të shumtë nga vendi dhe jashtë tij dhe, jo pa arsye, ishte quajtur oaza e parë (mbase edhe e vetme në botë), ku mbrohej krijimtaria e lirë dhe krijuesit e rrezikuar nga të tjerët, por edhe nga vetvetja…

Ndoshta, në përputhje me këtë qëndrim të pashpallur duhej  parë dhe kuptuar ndarjen e heshtur, po edhe shkëputjen e përhershme, e cila ishte vendosur midis pjesës së epërme, pra të Donacionit Mbretëror, (me ndërtesat e ulëta, por të qeta, të pansioneve, ku kishte atelie, bibliotekë, sallë të madhe leximi dhe  një teatër, që shfrytëzohej edhe për koncerte kamertale, si dhe pajisje të tjera, siç ishin disa laboratorë dhe një teleskop i vendosur në pirgun e ndërtesës së administratës), dhe pjesës së poshtme, drejt lumit, (me baraka, siç ishte quajtur rëndom, për t´u shmangur fjala refugjatë, të përndjekur mbi baza etnike, po edhe azilkërkues të shumtë) që, ndonëse në një hartë të madhe figuronte shëtitore, megjithatë asnjëherë nuk kishte qenë e tillë.

***