Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit
Nga fundi i marsit të vitit 1747 për disa ditë u largova nga Gjakova për në Malësi. Shkova me vizitue disa famulli dhe me mbledhë disa të dhëna për librin tim, që po më sillej në kokë ç´prej vitesh. Pesha e borës së madhe dhe e ngricës së dimrit ende shihej kudo dhe lente me kuptue se malësorët atë e kishin përballuar me shumë vështirësi. Megjithatë, ata thoshin „se dimri i fortë e sjell verën e mirë”. Kjo sikur i mbushte me shpresë se vera dhe vjeshta e ardhshme do t´ua kthente atë që ua kishte marrë dimri i fortë. Ndonëse ishin ditët e para të pranverës dhe gjurmët e dimrit ishin kudo (bora nëpër maja), shihej se përpara kishim një stinë premtuese me erë të fortë dhe diell shndritës.
Në të kthyer, radha më me përcjellë deri në qytet, i ra plakut të Krasniqes, Mic Shpendit. Edhe pse thuhej se i kishte kaluar të njëqindtat ai mbahej mirë sikur të mos kishte lënë pas vetit aq shumë vite. Ishte zakon që kur kthehesha nga vizitat famullive të largëta të më shoqëronin më të merituarit e bajrakut, të cilët udhëtimin deri në kishë e merrnin për nder të madh. Meqë e dija këtë, nuk e pashë të udhës malësorëve me ua tërheqë vërejtjen për telashet me të cilat mundej me u ballafaque plaku Mic rrugës, veçmas gjatë kthimit vetëm.
Sikur të dëshironte me ma ba me dije se këtë rrugë kishte pritur gjithë jetën, plaku nxitoi me i lëshue mushkat para dhe bëri me dorë se do t´i ndiqte pas me sa frymë kishte. Unë, që po i shkoja pas, e kisha të qartë se, sapo të futeshim në grykën e parë të malit, aty ku përzihej dimri me pranverën, plaku do ta ndalte turrin dhe do të ecte me kujdes. Kështu kursente veten nga lodhja e shpejtë, por njëherësh më mbronte edhe mua nga të papriturat e leqeve që përvijoheshin nëpër kalimet e rrezikshme me borë dhe akullnaja të shumta. Dhe përnjëmend, pas një copë udhe që e bëmë në heshtje, ai pas mushkave e unë në kundrim të natyrës që më joshte me pamjet e saj të bukura, ngadalësoi hapin. Kafshëve po u jepte shenjën me e rrallue trokun.
„Këto të shkretat, edhe pa njeri e gjejnë urën e Erenikut. Por, asht ma mirë me ua ba me dije se nuk duhet me shkue shumë para nesh…. Mal asht ky e nuk i dihet…“
I thashë se i mbetej atij që të përkujdesej për kafshët dhe mënyrën e udhëtimit
I kënaqur që ia dhashë besimin, plaku ma ktheu se e rëndësishme ishte që rruga të bëhej si me një frymë, në mënyrë që fundi të duket si fillim dhe fillimi si fund…
Fjalët për fundin si fillim dhe fillimin si fund që plaku m´i tha aq lirshëm, m´u bënë se kishin ikur çuditërisht nga hapësira e mbyllur e seminareve të Urdhrit të Shenjtë dhe kthinave të ndaluara, ku ruheshin me fanatizëm të madh nga përfoljet dhe trajtimet tjera që duheshin të mbaheshin jashtë gjykimi të opinionit gjithnjë me mbulesën e herezisë, për me u derdhë në një hapësirë të zbrazët ku përsëritët e njëjta…
Nën trysninë e asaj mëdyshjeje, desha me e pyet plakun prej nga i kishte ato fjalë dhe çfarë kuptonte me fillimin si fund dhe fundin si fillim. Por, në atë shalakatje, në të cilën kishte sharruar më pastaj bashkë me mushkat që u ndihej vetëm troku i lehtë, më shfaqej si një krijesë që herë shihej e herë nuk shihej, një si hije që shfaqej jashtë pushtetit të dritës, e cila herë afrohej e herë largohej sikur të ishte me e mashtrue njëmendësinë nëpër të cilën kalonim…Vetëm kur ndali kafshët dhe më tha se pas asaj cope rrugë që kishim bërë ishte koha për kafjall, sado që bëhej sikur ishim sjellë në një vend, zura pamjen e tij ashtu si ishte, të një të moshuari, që bënte rrugën e parë dhe të fundit jashtë botës së ngushtë së cilës i takon si i gjallë e si i vdekun…
Megjithatë, në atë rishikim nga afërsia, fytyra e tij po më shfaqej plot e përplot vragë dhe plagë të mbetura, që i jepnin një ashpërsi dhe mister të jashtëzakonshëm. Sikur të ma kishte kuptuar kërshërinë, pasi nxori bukën nga strajca dhe të tjerat që kishte dhe i shtroi në një rrasë guri për fundi së cilës shkonte një curril, plaku foli e tha se shenjat i kishte nga murtaja, që e kishte prekur si fëmijë.
„ Mbaj mend kur më rroku një zjarrmi dhe fillova të digjem flakë…Megjithatë në atë përflakje hetova se gjendesha as në tokë e as në qiell, i ngujuar në një katrahurë të pafundmë në të cilën gjërat dukeshin si të palëvizshme dhe të amshueshme…Nga ajo përflakje dhe ajo gjendje në të cilën ndjehesha si i veçantë dhe aspak si fëmijë, e ku do të rrija më dëshirë, më nxorën disa plaka që më kthyen në jetë kur më së paku pritej…“
Malësori pastaj shpjegoi se dikush prej dika në Malësi kishte sjellë njëfarë ilaçi kundër sëmundjes së tmerrshme që futej në trup me anën e grrithjës në lëkurë, por që për të grithja dhe ajo që kishte ndodhur më vonë kishte paraqitur një kapërcim magjik nga bota e fëmijës në një gjendjeje që ai nuk dinte me e shpjegue, por e quante si të jashtëzakonshme, ku nuk kishte kufij, ku gjësendet kishin trajta të paqarta, ku ai ndjehej se mbisundonte një hapësirë me gjithfarë mendimesh të shkëputura dhe përfytyrime të shthurura, që atij ia kishin krijuar bindje e ndodhjes në një ëndërr që herë ishte dhe herë nuk ishte, e ku përsëritej e njëjta…
***