TRILOGJIA GJERMANE 1 – Vdekjet e Kolonelit
I
Kolonel Drenin e zgjuan kur Skulptori kishte kaluar qafën e parë që ndante rrafshlartën me ultësirën e detit dhe ndodhej diku në rrugë për në portin detar në kërkim të anijes së fundit, që do ta kthente prej nga kishte ardhur. Sikur të mos dëshironte të pajtohej me gjendjen pa Skulptorin, një copë herë fërkoi sytë dhe këtë më shumë e bëri nga ballafaqimi me vetminë, që përfundimisht duhej ta pranonte si të pashmangshme se sa të mbrohej nga rrezet e diellit të fortë të mëngjesit, të cilat i binin ngultas. Vetëm kur preku letrën që i rrinte para dhe në të pa fjalët „kemi humbë një betejë, por luftën jo“, Koloneli pranoi realitetin e hidhur, që e njihte, dhe e priste dhe po mos të hetonte telegrafistin Bruner, i cili ishte aty për t´ia bërë me dije se ishte koha të niseshin, do të shpërthente në një çirrje lemëritëse përderisa të lirohej i tëri nga dufi i lidhur mulla gjatë atyre gjashtëdhjetë e gjashtë ditëve sa kishin zgjatur bredhjet si hije nëpër vijat kah shtriheshin frontet ndërshqiptare. Por, duket se ishte pikërisht letra, të cilën e mori me kujdes dhe e paloi, që Kolonelin e qetësoi, ngaqë ajo për pak e ndërlidhi me bisedën e gjatë që kishin bërë atë mbrëmje, ulur nën degët e hapura të manit të gërmuqur, kur Skulptori, ndonëse gjithë dëshpërim të cilin nuk dëshironte ta shfaqte, i kishte folur thuajse me pasione për „luftën e cila do të vazhdonte pa marrë parasysh se çfarë do të ishin rrethanat“, që e quante „pjesë të një zhvillimi të pashmangshëm, ku ajo, me zhvendosjen nga poshtë-lartë dhe shtrirjen në një rrafsh të gjerë botëror, hapte mundësitë e qartësimit të përgjithshëm“, pra kthente te domosdoja e zgjidhjeve që atë e kishin ushqyer dhe e kishin sjellë deri te shpërthimi, e tjera, e tjera, që ashtu si i thoshte dhe siç i shpjegonte, atij i dukeshin si pjesë të fantazisë së një artisti, i cili shqetësimet krijuese i ndërthurte me ato të jashtme dhe kështu ngatërronte kahun e tyre sa të dukeshin si pjesë te ndonjë promenade vere…
Ç´është e vërteta, shfrimet e Skulptorit, ndonëse Koloneli i njihte moti, qysh nga koha e takimeve dhe bisedave të gjata në Vjenë dhe Berlin, ku prej tyre dhe me anën e tyre ishte hapur edhe ajo çështja e pjesëmarrjes në luftën e paqartë me dëshirën t´i ndihmohej shtetit sapo të shpallur shqiptar të merrte veten para se të shembej, që pastaj edhe ishte kthyer në një realitet,mbrëmjen e fundit sikur kishin marrë atë kah,që e kishin zhveshur nga ato të cilat nuk i takonin dhe të tjerat që i ishin mbështjellë për ta paraparë ashtu si dëshirohej, aq sa ai të duket i mjegulluar dhe i pashpresë fare. Këtë Koloneli nuk kishte dashtë t´ia thoshte Skulptorit dhe kishte bërë përpjekje tepër të mëdha të përmbahej prej asaj ngulfatje, që e mbërthente gjithnjë e më shumë kur ai i thoshte se ajo farë lufta e përgjithshme dhe e madhe botërore, e cila tashmë ishte në prag të shpërthimit, kishte edhe të mirën e vet, sepse për pak do ta fashiste apo do ta ngrinte atë „luftën e ngatërruar“, bashkë me kobët e saj të mëdha, në të cilin ishin përfshirë shqiptarët, meqë sipas tij, lufta e madhe në rrjedhën e saj, pashmangshëm tërhiqte edhe prapaskenat dhe pështjellimet tjera deri më atëherë të shpërndara gjetiu, që dikur doemos duhej t´i ktheheshin si peshqesh.
***